Kulluri: Nuk jemi gati, s’dimë çfarë kërkon Ukraina. Zotkaj: Ejani t’ju tregojmë linjat e prodhimit të municioneve

Në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH, ka pasur një debat mes ish- Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Edvin Kulluri dhe kryetarit të bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, në lidhje me faktin nëse Poliçani është i gatshëm të nisë nga puna për prodhimin e armatimeve që dikur prodhonte kjo uzinë.
Kulluri ishte i mendimit se nuk jemi gati në këto momente që të nisim nga puna, pasi uzina kërkon rinovime. Ndërsa Zotkaj këmbënguli se uzina është gati për prodhim vetëm se duhen disa riparime të vogla që ajo të bëhet plotësisht funksionale.
“Kjo është nismë interesante e ndërmarrë nga disa kryeministra të rajonit për të furnizuar Ukrainën. Them për sisteme bazike. Këto janë armë të lehta për përdorim personal. Tre pikat tona të prodhimit të armëve janë në Mjekës, Gramsh dhe Poliçan. Pajisjet janë jashtë funksionit. Merrnin 10 mln euro kontribute për demontimin e armëve. Ka qenë histori suksesi. Nuk them se sot jemi gati pasi nuk e dimë se çfarë do Ukraina. Këto përgjigje i di Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Kemi bërë përpjekje për të qenë në treg pasi është industri fitimprurëse. Duhet rinovuar linja e prodhimit dhe me teknologji të re. Nuk di sa jemi të aftë dhe në burime njerëzore që të prodhojnë, sa janë punëtorë, sa inxhinier që dinë se si bëhen këto punë.”, tha Kulluri.
Por Zotkaj deklaroi se e kundërshton me forcë Kullurin lidhur me argumentin se Uzina e Poliçanit nuk është gati.
“Unë nuk e di se çfarë do Ukraina. Por janë aty pajisjet me pak punë dhe ca riparime është tërësisht funksionale. Ka një VKM që thotë se punonjësit e uzinës që në moshën 30 vjeç marrin pension të parakohshëm, me qëllim që në çdo moment të jenë në gatshëm. Ky kontingjent është i gatshëm për punë që sot. Me pak investime linjat janë gati. Ka pasur emigracion. Nga 15 mijë banorë që ka pasur Poliçani, 3.500 kanë qenë në industrinë e prodhimit të armëve.”, tha Zotkaj.
/rtsh.al/