Kultivuan kanabis sativa në malësinë e Krujës, arrestohen 12 shtetas dhe 4 në kërkim

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Në kuadër të operacionit “Old plant” u arrestuan nga policia 12 persona dhe 4 të tjerë po ndiqen me masa kërkimi, pasi akuzohen për kultivim të kabanisit në fshatra të ndryshme në Krujë.
Operacioni u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, Komisariatin e Policisë Nr. 5, dhe dhe Njësinë e Sigurisë Publike Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore.
Sipas policisë, u arrestuan E. A., 57 vjeç, A. A., 26 vjeç, I. V., 52 vjeç, Y. C., 48 vjeç, E. Sh., 26 vjeç, F. Z., 41 vjeç, I. D., 43 vjeç, R. D., 39 vjeç, L. A., 53 vjeç, D. K., 25 vjeç, I. H., 52 vjeç, dhe F. M., 52 vjeç, banues në Kamëz dhe Krujë.
Gjithashtu po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 4 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.
Operacioni u zhvillua në funksion të procedimit penal nr. 308/2022, i regjistruar si fillim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe më pas transferuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Tiranë është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest në burg” për 16 shtetas dhe janë vendosur 3 vendime për kontrolle banesash për 3 shtetas të tjerë.
Nga masat e vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë arrestuar 12 persona dhe 4 të tjerë po ndiqen me masa kërkimi.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vitet 2021 dhe 2022, kanë kultivuar bimë narkotike në fshatra të ndryshme në malësinë e Krujës.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
/k.s/