E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kumbaro: 734 individë të dallëndyshes faqebardhë të detit në liqenin e Shkodrës

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Liqeni i Shkodrës përfaqëson mjedisin e vetëm në Shqipëri ku gjendet një koloni e dallëndyshes faqebardhë të detit ose siç quhet në gjuhën shkencore Chlidonias hybrida.

Për të pestin vit radhazi në brigjet e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës” Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër kreu censin e kësaj dallëndysheje.

Vendet ku u realizua monitorimi dhe numërimi i tyre ishin: Shegan, Flakë, Kamicë dhe Bregu i Rërës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se gjatë monitorimit janë numëruar 734 individë, ose e përkthyer në çifte, 367 çifte, të cilët janë në prag folezimi.

Dallëndyshja e detit faqebardhë folezon në mjedise ujore, mbi zambakë, në thellësi rreth 1 m.  Fauna e liqenit të Shkodrës është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87 % të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›