E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Asnjë shërbim i AKSHA nuk bëhet privat, opozita dezinformon publikun

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në interpelancën për mënyrën e funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës në lidhje me shumëfishimin e tarifave të shërbimit, apo rolin fitimprurës, që do të ketë Fondacioni Amerikano-Shqiptar për Zhvillim.

“Të gënjesh sigurisht është gabim i madh. Herën e parë çdo gabim mund të falet, por të këmbëngulësh në gënjeshtër dhe të shpifësh, është në rastin më të mirë paaftësi apo padije. Por as paaftësia dhe as padija nuk janë argument. Të dezinformosh opinionin publik, grupet e interest të cilat janë të interesuara për këto shërbime, ky po është krim. Ndërkohë që askund nuk thuhet në ligj, se tarifat që dalin nga shërbimet, i kalojnë Fondacionit. Askund nuk thuhet. Ma gjeni ku thuhet se fondet shkojnë tek AADF, ma gjeni ku shkruhet që katërfishohen tarifat, ma thoni ku shkruhet që TOEFL apo testime të tjera ndërkombëtare, u përqendrokan dhe nuk do të kenë të drejtën subjekte të tjera të akredituara t’i ofrojnë? Ku shkruhet? Askund! Shkruhet vetëm në dëshirat e errëta të atyre që duan të hedhin baltë”, tha Kumbaro.

Ndërkohë në lidhje me pretendimet për shkurtim të stafit të QSHA, ministrja tha se e kundërta është e vërtetë. Falë krijimit të agjencisë së re, stafi do të shtohet për të përmirësuar shërbimet.

“Dua t’i drejtohem stafit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, kemi punuar bashkë gjithë këta muaj, keni punuar me koleget e mia paraardhëse dhe keni bërë një punë fantastike sepse jeni ju që keni punuar prej tre vitesh bashkë me ekspertët e Kembrixhit për të arritur në këtë nivel dhe ju jam pafundësisht mirënjohëse. Jo vetëm që do punojnë, por do shtohet stafi. Nuk bëhet asnjë shërbim privat, përfiton asnjë privat, por është e qartë që roli i AADF është vetëm donator”, tha Kumbaro.

Në fund, ministrja theksoi se është në vizionin e kësaj qeverie të punojë me partnerë ndërkombëtarë dhe donatorë, duke shtuar mundësitë e investimeve në shërbime publike.

“Këtu jemi, dhe do të shikojmë, që edhe kjo agjenci do të jetë histori suksesi, siç janë histori suksesi të gjitha projektet ku kam punuar, që kam udhëhequr përfshirë edhe ato në bashkëpunim me AADF, nga Gjirokastra deri në Shkodër. Koha do ta tregojë, siç e ka treguar, me shumë projekte dhe donatorë të tjerë, sepse jemi të aftë që për projekte publike jo vetëm të mirëmenaxhojmë paratë e shtetit, por të ngremë fonde të tjera që shkojnë në buxhetin e shtetit”, u shpreh Kumbaro.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›