E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kumbaro: Sarajet e Myfit Beut në Libohovë, shembull i restaurimit të trashëgimisë kulturore

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Sarajet e Myfit Beut në Libohovë janë një shembull i shkëlqyer i restaurimit të trashëgimisë sonë kulturore.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga restaurimi i këtyre Sarajeve teksa u shpreh se, “ janë një referencë identitare e historisë së Libohovës”, teksa shtoi se mezi pret bashkëpunimin e familjes Libohova për ta rijetësuar.

Kumbaro u shpreh se këto Saraje sot përfaqësojnë “një shembull të shkëlqyer të restaurimit të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe të kujdesit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe DRTK Gjirokastër për të mirëmbajtur ndërtesat historike që shënjojnë kujtesën tonë”.

Kumbaro u shpreh se, projekti që ka nisur synon ndërhyrje konservuese në çatinë e objektit me qëllim mbrojtjen dhe parandalimin e degradimeve në këtë pasuri kulturore.

Në sajë të këtyre ndërhyrjeve, kjo ndërtesë i kthehet qytetit si një atraksion i shtuar turistik. Sarajet e Myfit Bej Libohovës ndodhen në qendër të qytetit të Libohovës.

Ato ndodhen në krahun e majtë të bulevardit kryesor, përballë sheshit “Avni Rustemi”. Janë shpallur Monument Kulture, Kategoria II dhe janë ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar.

Myfit bej Libohova, diplomati i njohur i Perandorisë Osmane dhe krijuesi i diplomacisë shqiptare, ishte teknicieni që kontribuoi në ngritjen e Bankës dhe monedhës kombëtare. Me emrin e tij janë të lidhura shumë aktivitete politike të para Luftës së Dytë Botërore. Për Eqerem bej Vlorën, ai ishte një burrë me cilësi dhe me një kulturë të madhe, ndërsa për Sejfi Vllamasin vetëm një mbështetës më shumë i italianëve. Këtë e ndjen po të shkosh në Libohovë, sepse të gjithë ata që janë në qytetin e vogël, të cilën paraardhësi i tyre i bëri nënprefekturë, të tregojnë me respekt varrin e tij: rrepet që mbolli me duart e tij gati 100 vjet më parë dhe patjetër sarajet e familjes Libohova.

Në këto saraje, erdhi motra e Ali Pashait, Shanishaja, për të cilën pashai ndërtoi kalanë e famshme të Libohovës, që sot ka ende muret gjigante. Ajo bashkë me Myfitin prehen në tyrben e familjes, që gjendet në Libohovë.

Sarajet e Myfit Beut në Libohovë 1 nga 6

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›