Kumbaro: Së shpejti, investim i ri infrastrukturor në Universitetin e Shkodrës

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Së shpejti Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës do të përfitojë nga një projekt i ri infrastrukturor, i cili synon përmirësimin e kushteve për studentët, pedagogët dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore.
Lajmin e dha ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila zhvilloi sot një takim me rektoren në detyrë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, prof. dr. Blerta Dragusha, me të cilën diskutoi mbi projektet dhe prioritetet për zhvillimin e mëtejshëm të institucionit të arsimit të lartë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kumbaro theksoi se, investimi i rëndësishëm do të përmirësojë kushtet për studentët, pedagogët dhe aktivitetin kërkimor-shkencor, si pjesë e angazhimit të qeverisë për universitete moderne, me standarde europiane, që krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë shqiptarë për të studiuar, kërkuar, inovuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri
Kumbaro gjithashtu vlerësoi rolin e Universitetit të Shkodrës në formimin e brezave të tërë profesionistësh dhe kontributin e tij në kërkimin shkencor dhe zhvillimin rajonal.
“Universiteti i Shkodrës ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në formimin e brezave të tërë profesionistësh, duke qenë një qendër e rëndësishme e dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit rajonal”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se Universiteti do të vijojë të ketë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Arsimit në rrugën e zhvillimit, në vazhdimësi të punës së nisur me shumë përkushtim nga profesor Tonin Gjuraj për modernizimin dhe fuqizimin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
/gj.m/j.p/r.e/