Kumbaro: Sezoni turistik veror i suksesshëm, 20% më shumë vizitorë të huaj

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro duke e cilësuar sezonin turistik të këtij viti të suksesshëm tha se deri në fund të gushtit 8.5 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë.
Në një intervistë televizive Kumbaro tha se “deri në fund të gushtit mund ta konsiderojmë një sezon verior të suksesshëm. Nëse gushti u mbyll me 8.5 milionë vizitorë që e shprehur në përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar, kemi rreth 20% më shumë vizitorë të huaj”.
“Pra e theksojmë vizitorë të huaj sepse është e vështirë për momentin të llogarisim turizmin vendas, por që është një tjetër fluks, jo vetëm i banorëve që jetojnë dhe janë rezidentë në Shqipëri, por edhe i shqiptarëve që kanë vendqëndrim dhe punë në shtete të tjera, kur futen në territorin tonë, futen me pasaportë shqiptare. Ata nuk i llogarisim dot në këtë shifër”, u shpreh Kumbaro.
Kumbaro tha se “kriteri që kemi zgjedhur është që vizitorët që hyjnë në sistemin TIMS në të gjitha pikat e kufirit me pasaportë të huaj, i llogarisim si turistë të huaj”.
Kumbaro shtoi se numërimi i turistëve jo rezidentë që vijnë në vendin tonë, bëhet nëpërmjet sistemit TIMS.
Sipas saj, ky sistem mundëson përcaktimin e prejardhjes, moshës edhe nëse ky turist ka ardhur disa herë apo vjen për herë të parë në vendin tonë.
“Sistemi TIMS është mënyra më e pagabueshme e përllogaritjes, sepse çdo gjë është elektronike dhe përcaktohet kollaj. Po ky sistem na ndihmon të caktojmë prejardhjen, moshën edhe nëse ka ardhur disa herë apo vjen për herë të parë. Krah saj është gjithë sistemi i statistikave të INSTAT të cilat vetëm nëse i nxjerrim numrin e vizitorëve të huaj ditët e para të muajit pasardhës, INSTAT ka një tjetër metodologji, llogarit netëqëndrimet, preferencat për turizëm në mal apo fushë, sepse funksionojnë me kampione sondazhesh”, nënvizoi ministrja.
Ndër të tjera Kumbaro tha se të ardhurat e hyra në ekonominë shqiptare si pasojë e shtimit të numrit të turistëve, kanë pasur një trend pozitiv rritjeje.
“Kemi më shumë të ardhura. Për të njëjtën periudhë, po rri tek 6-mujori i parë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, tregon se janar-qershor 2023 të hyrat nga turizmi në ekonominë shqiptare ishin 1.5 mld euro. Ndërsa për të njëjtën periudhë në 2024, ishin 2 mln euro. 2022 u mbyll me 2.2 mld euro të hyra në ekonomi nga turizmi. 2023 me 4.2 mld euro të hyra. Në 6 muajt e parë të 2024 jemi në rritje nga 1.5 deri në 2 mld euro. Presim mbylljen e bilanceve, por deri tani janë të gjitha në trend rritës. Në 6 muaj 200 mijë vizitorë vetëm në kalanë e Gjirokastrës, jo në qytet“, u shpreh Kumbaro. /k.s/