Kumbaro: Shkolla 9-vjeçare “Xhelal Berberi” në Delvinë do t’i nënshtrohet rikonstruksionit

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Ministria e Arsimit ka financuar këtë vit 39 projekte të reja për investime në shkolla dhe kopshte në të gjithë vendin, duke mbështetur përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe fëmijët në arsimin parauniversitar.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “në kuadër të këtyre investimeve, shkolla 9-vjeçare “Xhelal Berberi” në Delvinë do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, falë financimit të Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Delvinë”.
“Projekti parashikon ndërhyrje në ambientet mësimore dhe hapësirat e përbashkëta të shkollës, duke përfshirë krijimin e klasave të reja, laboratorëve, palestrës dhe përmirësimin e ambienteve të tjera të institucionit arsimor”, tha Kumbaro.
Investimi synon t’u ofrojë nxënësve kushte më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor, si dhe hapësira më funksionale për aktivitetet sportive, krijuese dhe edukative.
Përmirësimi i infrastrukturës shkollore është pjesë e investimeve të ndërmarra në arsimin parauniversitar, me synim që institucionet arsimore në të gjithë vendin të ofrojnë ambiente më moderne, të sigurta dhe të përshtatshme për nxënësit dhe mësuesit.
Ndërhyrjet në shkollën “Xhelal Berberi” pritet të ndikojnë jo vetëm në përmirësimin e kushteve fizike të institucionit, por edhe në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për mësim, zhvillim dhe shpalosjen e talenteve të nxënësve të Delvinës.
Investimet në infrastrukturën arsimore vijojnë në të gjithë vendin, me synim krijimin e mjediseve më moderne, të sigurta dhe funksionale për nxënësit dhe mësuesit.
Përmes projekteve të reja në shkolla dhe kopshte, synohet përmirësimi i kushteve të mësimit dhe zgjerimi i mundësive për zhvillimin e aftësive, talenteve dhe potencialit të çdo fëmije, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar
/k.s/j.p/