Kumbaro uron besimtarët bektashinj për Ditën e teqesë së Baba Aliut në Alipostivan

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit uroi sot besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan të Përmetit.
“Jo vetëm një vend i shenjtë, por edhe një nga pikat më panoramike të Jugut ku duket se Perëndinë e ke vetëm një vështrim larg”, shkroi ministrja Mirela Kumbaro në rrjetet sociale, ku uroi të gjithë besimtarët bektashinj, si dhe përshëndeti Baba Hekuranin për përkushtimin në nder dhe kujtim të të parëve, ruajtjen e traditës, besimit dhe që shpërndan harmoni fetare, forcë, kurajo duke përballuar të mirën dhe të keqen me lutjet e Zotit për të gëzuar dhe jetuar në paqe.
Teqeja e Alipostivanit është një monument fetar, rreth 40 minuta nga Përmeti. Është një kompleks, mbi një kodër të vogël me pamje nga qindra hektarë pyll dhe fusha poshtë. Teqeja e Alipostivanit është e re dhe ende në rritje për të akomoduar vizitorët e saj. Përveç se një destination i vërtetë shpirtëror, së fundmi po kthehet edhe në destinacion turistik.
Shumë njerëz organizojnë pelegrinazhe në Alipostivan ku mund të takojnë edhe Baba Hekuranin.
Hyrja në ansamblin e ndërtesave bëhet përmes një porte të madhe e ndërtuar me qemer të lartë, me gurë të bukur të disa llojeve. “Teqeja e Baba Aliut Alipostivan -1857”, është mbishkrimi mbi portën hyrëse, i cili tregon kur është ndërtuar kjo Teqe për herë të parë nga Baba Aliu, në nder të të cilit ky vend mban emrin.
1 nga 6/r.e/