E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtoi ndarjen territoriale, kryebashkiaku i Selenicës përballet me Ramën në festën e fshatit Vajzë

Paradite, të gjithë drejtuesit e Bashkisë së Selenicës, të majtë e të djathtë, u bashkuan kundër qeverisë dhe projektit për të shkrirë Bashkinë e Selenicës, por në mbrëmje ata mikpritën Kryeministrin Edi Rama në festën e organizuar në fshatin Vajzë të Selenicës.

Edhe pse në atmosferë festive, përballja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, nuk i shpëtoi tensionit të krijuar për shkak të vendimit për të shkrirë Bashkinë e Selenicës.

“Vajza dhe Labëria kanë një pasuri të jashtëzakonshme. Këtu lart është vendi i mirë, është Amantia, është Ujëvara e Rasalit, është Ura e Bratit. Kryeministër, në fund kemi nxjerrë edhe ujë det këtu. Kështu që në Vërmik dhe Bashaj kemi edhe ujë të kripur. Këto na i ka falur natyra. Ne jemi munduar, që ashtu siç e ka famën të madhe Labëria, të madhe ta bëjmë bashkinë tonë”, tha Nertil Bellaj, kryetar i Bashkisë së Selenicës.

“Dua të përshëndes kryebashkiakun, Nertilin, dhe dua ta falënderoj për informacionin për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur bashkë. Dua të përshëndes edhe ministrin e Pushtetit Vendor, zotin Demo, i cili është këtu i pranishëm për të parë si funksionon Bashkia Selenicë”, tha kryeministri Edi Rama.

Ditën e premte, Këshilli Bashkiak i Selenicës me unanimitet miratoi një deklaratë kundër bashkimit me Vlorën dhe shkrirjes së Bashkisë së Selenicës.

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe kryepleqtë e fshatrave deklarojnë se projekti për shkrirjen e Bashkisë së Selenicës dëmton interesat e banorëve të zonës, duke këmbëngulur që Selenica të qëndrojë bashki më vete.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›