E Martë, 3 Nëntor 2026

“Kur do integrohet Shqipëria në BE”, Edi Rama: S’na intereson një datë, tani do marrim më shumë financime

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk përcaktohet nga datat por reformat që duhet të realizohen përgjatë këtij procesi.

Sipas Ramës, tani e tutje Bashkimi Evropian do të ketë një qasje tjetër ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor duke rritur investimet dhe financimet në varësi të reformave të realizuara.

I pyetur nga gazetarët se a do të ketë një përshpejtim të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duke qenë pjesë e një rajoni pa konflikte, Rama nënvizoi se në këtë rast nuk është e rëndësishme data por nevoja për të ndryshuar vendin përmes reformave.  

“Plani i ri i rritjes është guri i parë. Për herë të parë në historinë e proceseve të integrimit, vendet që janë në këto procese do të përfitojnë më shumë financime dhe do të përfitojnë më shumë akses në tregun e përbashkët evropian, gjë që deri dje ndodhte vetëm kur bëheshe anëtar i BE-së.

Ndaj do lutesha që të gjithë të kuptojnë që Shqipërisë nuk i intereson një datë, e para sepse ccdo datë që mund të vendoset nga kushdo qoftë do të mbetet një tjetër takim i parealizuar për mënyrën se si funksionon.

 Ne nuk e bëjmë këtë proces për të bindur Francën, Gjermaninë apo Bashkimin Evropian. Ne e bëjmë këtë proces për të ndryshuar historinë e vendit tonë”, theksoi Rama gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidentin francez Emanuel Makron.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›