E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur të heqë dorë nga Fieri, me çfarë do të kushtëzojë Rama?

05-11-2012 / Gazeta 55

Kreu i PS ende s’e ka ngritur barrikadën e Fierit, bile u ka dërguar fjalë levave vendore se po ra Fieri, bien edhe zgjedhjet e 2013-s. Edi Rama po mban në këmbë një bllokadë në kundërshtim me rekomandimet e sekretares Klinton dhe të BE-së, por s’dihet se ku do të mbahet alternativa e opozitës, kur pas pak ditësh, të hiqet dorë nga pretendimet absurde me qarkore për Fierin

Afati i datës 20 nëntor i dhënë nga Komisioni për Zgjerim në BE për të plotësuar tre kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në dhjetor: votimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, ligji për Nëpunësin Civil dhe reforma Parlamentare, po afron dita ditës. Thirrja e kryeministrit Berisha në frymën e fjalimit në Kuvend të Sekretares së Departamentit Amerikan të Shtetit Clinton që të tejkalohen interesat partiake kur parësore janë interesat kombëtare, si duket, kanë rënë në vesh të shurdhur në PS. Është një shurdhëri e zhurmshme me bujë të madhe që sinjalizon dilema jo të pakta politike në Partinë Socialiste.
Megjithatë deputeti i PS, Arben Malaj theu embargon ndaj procesit të integrimit duke dalë kundër idesë së Ramës për të kushtëzuar me çështjen e Fierit marrjen statusit të vendit kandidat; Edi Rama ka rënë në squk për të medituar sesi do të jetë qëndrimi zyrtar i opozitës në sytë e ndërkombëtarëve që shohin në ngritjen e çështjes së Fierit si një pretekst për të refuzuar votimin e tre reformave ligjore jo pak të konsultuara me ekspertë të Bashkimit Europian.
Në thelb, çështja e qarkut të Fierit është një çështje tashmë në gjykim nga Gjykata e Lartë, ku politika jo vetëm duhet të heshtë, por në thelb duhet të presë vendimin e jurisprudencës. Sigurisht marrja e çështjes së qarkut të Fierit si një alibi  fsheh dilemën  e madhe të kahershme të Ramës kundrejt procesit të Integrimit të vendit në strukturat Euroatlantike.
Si shef i opozitës Rama i ka bërë pritë jo vetëm anëtarësimit të vendit në aleancën më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave, NATO, me protesta në prillin e 2009, por dhe për liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë me vendet e Bashkimit Europian opozita në parlament krijoi alibinë e falsifikimit të kartave të identitetit me deputetë Balla e Ruçi dhe pastaj përhapi fjalën se po të hiqeshin vizat shqiptarë do të emigronin masivisht në vendet e “Shengen”.
Për plotësimin e 12 rekomandimeve të BE për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe çeljes së negociatave për anëtarësim, Rama doli jashtë marrëveshjes së nëntorit 2011 të palëve politike për normalizimin e situatës politike dhe fillimit të kursit të ri të bashkëpunimit.
Për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetëve, kreu i PS, Rama sajoi një strategji të paparë me kushte pas kushtesh për të përfituar pozicion politik në zgjedhjen e Kryetarëve të Gjykatave, Kryeprokurorit të Përgjithshëm, dhe krerëve të tjerë të institucioneve kushtetuese, që sipas Ligjit Themeltar të shtetit, janë në tagrin e presidentit të Republikës  me pëlqimin e parlamentit. Ndërsa propozimi për pazar në kurriz të procedurave parlamentare dhe kushtetuese u refuzua nga mazhoranca, kreu i PS gjeti një kauzë lokale, në rastin e qarkut të Fierit, për të penguar integrimin.
Bërja kurban e procesit të integrimit në BE për hir të agjendës personale të Ramës është e papranueshme për qytetarët që janë të neveritur nga papërgjegjshmëria e opozitës kur në mes është anëtarësimit në BE.  Dhe e pyetje që lind në këto momente delikate është se, pas heqjes dorë nga çështja e Fierit, çfarë kushti do të sajojë Rama si barrikadë ndaj integrimit të vendit në familjen europiane?                 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›