Kurban Bajrami, Spahiu uron besimtarët: Begati e mirësi për kombin tone

Besimtarët myslimanë nesër të gjithë do të festojnë festën e Kurban Bajramit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, përmes një postimi në rrjetet sociale, uron për më shumë begati e mirësi për kombin tonë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar se Kurban Bajrami do të falet të dielën në orën 06:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.
Pas faljes së namazit, kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
KMSH ka njoftuar gjithashtu se pritjet tradicionale do të organizohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.
Urimi i kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu me rastin e Kurban Bajramit
“Të dashur motra dhe vëllezër
Nesër, me lejen e Zotit, do të festojmë Kurban Bajramin.
Festën që simbolizon sakrificën dhe bindjen e njeriut ndaj Zotit dhe mëshirën e pamatë që krijuesi ka për krijesën tij më të lartë, që është njeriu.
Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.
Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Kurban Bajrami është festë edhe për haxhinjtë.
Miliona besimtarëve nga e gjithë bota, të cilët po kryejnë Haxhin, u janë bashkuar qindra besimtarë nga Shqipëria, e ne lutemi që atyre t’u pranohet haxhi e të kthehen të gjithë të falur e të pastruar nga mëkatet.
Të dashur shqiptarë,
Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit,
Paçi gëzime në familjet tuaja,
Zoti i madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë,
Zoti u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën
Gëzuar!”
/rtsh.al/