E Martë, 3 Nëntor 2026

Kurban Bajrami në Gazë, ushtria izraelite shpall ditë “pushimi” për të lejuar ndihmat

Ushtria izraelite njoftoi të dielën se nuk do të pezullojë  përkohësisht operacionet kundërterroriste në territorin palestinez të Gazës në mënyrë që të mos pengojë kalimin e ndihmave humanitare në vend.

Thirrja për “pushim lokal, taktik të aktivitetit ushtarak nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 7:00 të darkës deri në një lajmërim të dytë” erdhi teksa në orët e para të ditës në Rafah u vranë tetë ushtarë izraelitë si pasojë e një shpërthimi, ndërsa tre trupa të tjerë ndërruan jetë më larg – një ndër ditët më të rënda për ushtrinë izraelite kundër militantëve të Hamasit. Një total prej mbi 300 ushtarësh të Izraelit raportohen tanimë të vdekur prej inkursionit në Gazë.

Në hartën e publikuar nga pala izraelite, rruga e lirë për ndihmat humanitare u zgjat deri në Spitalin Europian të Rafahut, rreth 10 km nga Kerem-Shalomi.

Njoftimi vjen edhe në ditën kur bota myslimane feston Kurban Bajramin. Palestinezët kryesisht festojnë duke u takuar familjarisht dhe duke ndarë ushqimin. Por ushqimet këtë vit nuk janë me bollëk, pasi gjysma e popullsisë është në gjendje zie buke.

“Ky Bajram është krejt i ndryshëm. Kemi humbur shumë njerëz, ka shkatërrim të madh. Nuk kemi kënaqësinë e zakonshme për këtë festë, nuk do të flijojmë asnjë kafshë. Zakonisht vijmë për lutjet e Bajramit duke gëzuar, duke qeshur nëpër rrugë. Këtë vit, kam ardhur për të vajtuar, sepse kam humbur djalin tim,” tha për AFP, Um Muhamad Al-Katri, një nënë gazane që po jeton në kampin Xhabalijës.

Ushtria izraelite ushtroi të dielën edhe kufizime për hyrjen në Xhaminë e Al-Aksës, duke ndalur mijëra besimtarë të kryenin ritet e tyre, sipas agjencive vendase. Pavarësisht sigurisë së lartë, mbi 40 mijë prej tyre raportohet se kryen lutjet në xhami. /AFP, AJ

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›