Kurti: Institucionet e reja duhet të konstituohen sa më parë

PRISHTINË, 4 shkurt/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se me Ligjin për buxhetin 2025 që po funksionon qeveria në detyrë, mund të vazhdojë vetëm deri në muajin shkurt, prandaj siç tha ai duhet të konstituohen institucionet sa më parë.
Kurti, nga Podujeva, ka folur për hapat që do të ndërmerren drejt krijimit të Qeverisë së re.
Kurti ka bërë të ditur se përbërja e qeverisë së ardhshme do të ketë shumë prej emrave të prezantuar më herët nga ai dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, por se ato nuk do të jenë identike.
“Do të ketë shumë prej emrave të cilët tashmë i kam prezantuar edhe unë edhe Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë, do të ketë edhe emra të tjerë. Po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa me shpejt ta formojmë Qeverinë e re. Siç e dini i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe e kemi Planin e rritjes me BE që është 882.6 milionë euro e që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Kosovës pa harruar që e kemi më se shumti obligim e ky është buxheti për vitin 2026. Qeveria në detyrë mund të vazhdojë veç deri në muajin shkurt, në muajin mars nuk mund të vazhdoj kësisoj, andaj në shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit”, tha Kurti.
Ndërkohë i pyetur për një takim me presidenten Vjosa Osmani për të biseduar rreth çështjes së përzgjedhjes së presidentit ose presidentes, Kurti tha se ai është hapi i katërt pas formimit të qeverisë.Kurti këto komente i bëri gjatë një vizite në Podujevë, në shkollën “Isa Boletini”. /Kosovapress/