E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin na çon në zgjedhje

PRISHTINË, 8 gusht/ATSH/ Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se ndonëse i kanë votat për të votuar një kryeparlamentar të ri, çfarëdo konstituimi i organit ligjvënës, pa një marrëveshje që garanton edhe zgjedhjen e presidentit, “pashmangshëm na shpie në zgjedhje të reja”.

“Andaj insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje dhe liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin”, tha ai, pas seancës konstituive.

Ai sërish u bëri thirrje udhëheqësve partiakë që të takohen për të arritur një marrëveshje. Ai tha se nuk dëshiron që në një seancë për presidentin të marrin pjesë vetëm deputetët e LVV-së dhe të komuniteteve joserbe.

I pyetur për incidentin me deputeten e Aleancës, që hodhi vezë në drejtim të tij, Kurti tha se nëse gjuajtja me vezë drejt sakos dhe pantollonave të tij është çmimi që duhet të paguajë në mënyrë që udhëheqësit politikë të dialogojnë për të arritur një marrëveshje, ai është i lumtur ta paguajë një çmim të tillë.

“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë”, tha ai.

Ai foli edhe për çështjen e presidentit, duke përsëritur qëndrimin se ai duhet të jetë një figurë mbipartiake, jashtë aktualitetit politik.

Marrëveshja politike, sipas tij, duhet të reflektojë edhe rezultatin zgjedhor. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›