E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Mbretëria e Bashkuar mike dhe aleate kyçe në çdo etapë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Shën Stefan me Lord Wood of Anfield, nënsekretar parlamentar i shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar. Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se dialogu me Londrën është i ngushtë dhe i vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas Kurtit, takimi vjen pas komunikimeve të zhvilluara gjatë dy muajve të fundit me të dërguarën e posaçme britanike për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Këto kontakte përfshijnë një takim në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, si dhe një bisedë telefonike nga Prishtina.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe në çdo etapë të zhvillimit tonë, nga çlirimi dhe pavarësia deri te demokracia e sotme, dhe mbetet ndër zërat më të fuqishëm për integrimin tonë euroatlantik”, shkroi Kurti.

Ai theksoi gjithashtu se, me institucionet plotësisht funksionale, Kosova është e përqendruar te reformat dhe zhvillimi, duke parë mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar në fusha të ndryshme, nga mbrojtja deri te organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Takimi u zhvillua në kuadër të qëndrimit të kryeministrit kosovar në Shën Stefan, ku një ditë më parë mori pjesë në Samitin e 13-të të Procesit të Berlinit.

Gjatë fjalës së tij në samit, Kurti i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të marrë një vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, t’i japë vendit statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për anëtarësim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›