Kurti: Me SHBA jemi miq edhe përkundër moskuptimeve

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste televizive tha se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një marrëdhënie normale partneriteti dhe jo servilizmi.
Kurti tha se qeveria e tij ka marrë grantin më të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shtoi se me SHBA “nuk janë marrëdhënie të këqija politike, por janë marrëdhënie partneriteti. Përpara kanë qenë ose armiqësi ose servilitet. Unë jam për normalitet. Partneriteti është normalitet. Ne jemi miq edhe përkundër moskuptimeve. Kurrë nuk mund të jesh mik me dikë nëse parakushti është që të pajtohesh me gjithçka tërë kohën”, tha Kurti.
Ai tha se “kurrë s’ka qenë pasaporta e Kosovës më e fuqishme sesa sot, kemi liberalizim e lëvizjes me zonën Shengen. Kush e mori grantin më të madh amerikan? Qeveria jonë. Kush po blen helikopterë Cougar (skifterë…shënim i redaktorit), sistem antitank? Qeveria jonë. Çfarë marrëdhënie më të këqija?! Është vëzhgim sipërfaqësor ky”, tha Kurti.
Lidhur me pretendimin se ai nuk ka pasur takime me ndërkombëtarët, kryeministri i Kosovës tha se janë “broçkulla opozitare”.
“Kurrë nuk kemi pasur marrëdhënie më të mira partneriteti dhe aleance me Perëndimin sesa tani. Dua të mësohen njerëzit: nuk mund ta kem qëndrimin për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar siç e ka Brukseli dhe Uashingtoni, unë e kam më të avancuar”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës u shpreh se është i hapur për dialogun me Serbinë, por nuk mund të shkojë pas presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën Beogradi zyrtar ka rënë dakord në Gjermani.
Kurti po ashtu shtoi se duhet forcuar mbrojtja, pasi Beogradi është një fqinj që krijon trazira, duke kujtuar këtu aktin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Këto janë akte edhe nga dëshpërimi. Organizojnë popullin dhe bëjnë aksion terrorist, e në anën tjetër terrorizmi është dëshmi e pafuqisë. Jemi të vetëdijshëm që ka 48 baza në formë patkoi. Kanë qenë brenda Kosovës në pranverë, tani janë jashtë Kosovës. KFOR duhet të jetë me ne. KFOR ka qenë 55 mijë ushtarë pas luftës, sot janë 5 mijë. Pushkën duhet ta kemi tonën. Kosova duhet të ketë fabrikë municioni, ne duhet të kemi dronët tanë”, theksoi Kurti.
Sipas tij, nëse Serbia nuk do të ishte agresive, fondet nuk do të investoheshin te armët apo municionet, por në arsim dhe ekonomi.
“Ma hiqni këtë të keqe (Serbinë…shënim i redaktorit) dhe paratë i çoj në arsim. Çfarë të bëj unë? Të vrapoj nëpër Beograd për të nënshkruar marrëveshjet? Nuk mund të vrapoj unë pas Vuçiçit në Beograd. S’mund ta nxjerr unë. Krimineli i tyre duhet të vijë në Kosovë se ka vrarë rreshterin tonë. Na kanë vrarë fëmijët dhe pleqtë. Në masakrat që ka bërë Serbia në Kosovë ka shumë pleq pa kokë sepse kanë pasur plisin mbi kokë”, tha Kurti.
Ai tregoi mes të tjerash arsyen se përse nuk e ka vizituar në Hagë Hashim Thaçin dhe të burgosurit e tjerë. Sipas tij, nuk e ka bërë sepse nuk pranon që të “legjitimojë” Gjykatën Speciale.
“Kam pasur ndërmend të shkoj, por nuk kam mendim aspak pozitiv për Gjykatën Speciale, siç ka pasur Thaçi. Kur kam marrë vesh që për të shkuar në Hagë duhet të mbushej një mori letrash, prandaj nuk kam shkuar. Se kjo i bie që unë duhet të pranoj Gjykatën Speciale. Duhet t’i bëj asaj një lloj legjitimimi. Ndaj nuk kam shkuar, sepse nuk dua të nënshkruaj letra me logo të Speciales”, deklaroi ai.
Duke u rikthyer te zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti tha se nuk janë të tilla, por janë referendum për qeverinë e tij.
“Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që pas shpalljes së pavarësisë. Ndonëse janë të rregullta, nuk janë zgjedhje të zakonshme, meqë këto që kemi bërë në këto katër vite janë të papara për Kosovën. Nesër ne e quajmë ditë referendumi. Zgjedhje të rregullta do të ketë në 2029”, tha ai.
Kurti tha se në këto katër vite kanë pasur mbështetje të popullit, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë protestë, por se kundërshtia ka qenë nga opozitarët, që i cilëson për arsye xhelozie.
“Nuk kam pushtet më shumë se ata para nesh, por kemi mbështetje më shumë se ata para nesh. Kishim qëndrueshmëri sepse populli na ka besuar. Besoj se ia kemi kthyer besimin. Rritja ekonomike ka qenë rekord, pa rënë asnjëherë nën 4%. Investimet kapitale i kemi pasur rekord në vitin e kaluar. Këto janë fakte! Si i bëhet që në katër vite nuk kishte as protestë?! Kurrë nuk ka qenë mirëqenia më e lartë në Kosovë historikisht. Ka kënaqësi për popullin, por ka pakënaqësi opozitare, sepse ka shumë inat dhe xhelozi”, shton Kurti.
Sa i përket largimeve të shtetasve të Kosovës nga vendi, ai shprehet se nuk është më e lartë se më parë, duke shtuar se në qeverisjen e tij ka pasur më shumë kthime të mjekëve dhe infermierëve, sesa largime të këtyre të fundit.
Kurti foli edhe për çmimin e energjisë elektrike në Kosovë.
“Në vitin e parë kemi pasur krizë të trefishtë: pandemia, kriza e inflacionit dhe energjetike. Ne dolëm fitimtarë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës u ndal edhe te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çmimet tavan për shportën ushqimore, duke thënë se rrëzimi i ligjit të qeverisë së tij ishte dëmi më i madh që i kanë bërë popullit të Kosovës.
/a.f/