Kurti: Serbia sulme me dezinformim! Kryeministri u kërkon ambasadorëve të reagojnë më fort dhe më shpejt kundër propagandës

Kryeministri Albin Kurti akuzoi Serbinë se po përdor propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme të cilat kanë për qëllim dëmtimin e Kosovës.
Në konferencën me ambasadorët, Kurti u kërkoi diplomatëve që të jenë aktivë në luftimin e propagandës serbe që mbështetet drejtëpërdrejtë nga Rusia.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën, dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë edhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativësh të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe tentojnë të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, në betejën e lajmeve të rreme dhe dezinformatave, shpejtësia e reagimit dhe profesionalizmi janë armë kyçe.
“Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën tonë”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se Kosova është një shtet ende i ri për shumicën e vendeve ku shërbejnë ambasadorët, e që po ndërton e formëson pozitën e saj në skenën ndërkombëtare.
Prandaj sipas tij, promovimi i interesave ekonimike të sigurisë dhe politikës së jashtme janë thelbësore./vizionplus.tv