E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Sonte rrezik i shtuar në rrugë, temperaturat zbresin deri në -9°C

PRISHTINE, 7 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, pasi pritet rënie e temperaturave deri në -9°C dhe ngrirje e rrugëve të lagura nga shiu.

Ai theksoi se kompanitë e mirëmbajtjes janë në terren dhe kërkoi pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe vozitje të kujdesshme në rast nevoje për qarkullim.

“Sonte është natë kritike sa i përket qarkullimit në rrugët e Kosovës. Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë. Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin. Është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përkatësisht pajisja e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë. U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë gjatë natës së sontme, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke ju përshtatur kushteve atmosferike”, shkruan Kurti në Facebook.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nga dita e enjte do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteroligjike, ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.

IHK-ja ka njoftuar gjithashtu se temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, raporton KosovaPress.

Gjatë ditë të fundit ka pasur reshje të mëdha të shiut të cilat shkaktuan vërshime në shumë zona të vendit, duke shkaktuar dëmë të mëdha materiale dhe infstrukturore në rrugë.


/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›