Kurti “dhuron” Manastirin e Deçanit, vendimi përshëndetet nga SHBA dhe Tirana zyrtare

Qeveria i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, për tokën e Manastirit të Deçanit.
Pas mbledhjes së sotme, kryeministri Kurti tha se megjithëse nuk i pëlqen, ai vendim do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër, s’ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovë të pavarur”, tha Kurti.
Vendimi është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I dërguari i posaçëm i cili ndodhet në Prishtinë tha se aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm.
Po ashtu kryeministri Rama vlerësoi aktin e qeverisë Kurti.
“Më mirë vonë se sa kurrë. Inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët kyç për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i rritur i besueshëm i Komunitetit Euro-Atlantik”, tha Rama.
Prona 24 hektarë, iu dhurua manastirit të Deçanit gjatë qeverisjes së Sllobodan Millosheviç në vitin 1997, veprim ky që u mbështet gjithashtu nga një vendim i gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2016./vizionplus.tv