E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti e Abdixhiku bisedojnë për profilin e presidentit të ardhshëm

PRISHTINË, 18 gusht /ATSH/ Ka përfunduar takimi mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku kanë diskutuar për profilin potencial që do të duhet të ketë kreu i ri i shtetit.

Pas takimit dyorësh në ambientet e Kuvendit, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, u shprehën se ka vullnet që dy partitë të arrijnë një pajtim për të gjetur një emër për presidentin.

“Ne sot diskutuam hollësisht dhe thellësisht për kriteret, standardet që duhet të ketë figura presidenciale”, tha Kurti.

Abdixhiku, ndërkaq, tha se dy partitë do të zhvillojnë diskutime brenda partive të tyre dhe në takimin e ardhshëm do të bisedojnë për emra konkretë.

“Ka vullnet të dyanshëm se si duhet të duket presidenti i ri apo presidentja e re e vendit”, tha udhëheqësi i LDK-së.

Takimi vjen disa ditë pasi Abdixhiku njoftoi se nuk dëshiron marrëveshje politike me Kurtin për formimin e institucioneve të reja, por shtoi se është i hapur për mbështetjen e një kandidati konsensual, jopartiak për postin e kreut të shtetit.

Pas këtij njoftimi të Abdixhikut, Kurti ka kërkuar që partitë të takohen dhe të flasin për emra konkretë për kreun e ri të shtetit.

LVV-ja e Kurtit dhe LDK-ja e Abdixhikut kanë negociuar për një marrëveshje për bashkëqeverisje. Por, Abdixhiku hoqi dorë nga pjesëmarrja në ekzekutiv pasi tha se oferta e Kurtit nuk ishte e pranueshme për të.

LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në qeveri, duke argumentuar se një gjë e tillë do të krijonte balancë institucionale. Por, Kurti i kishte ofruar udhëheqjen e tri ministrive dhe zëvendëskryeministrin, sipas Abdixhikut.

Kosova ndodhet në një krizë të re institucionale pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.

LVV-ja ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kërkojnë insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit.

Pas tërheqjes së kërkesës që ta ketë presidentin, LDK-ja po ashtu ka thënë se më nuk ka arsye që Kuvendi të mos konstituohet dhe të votohet ekzekutivi i ri.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Kurti ka insistuar që kreu i ri i vendit të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill. /REL/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›