E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti, letër diplomacisë hungareze për emigrantët

Dje, Albin Kurti, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me situatën e emigrantëve nga Kosova që po mbahen në kampe a burgje të Hungarisë, iu ka dërguar letër: homologut hungarez, Mihaly Balla, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Asamblenë Kombëtare Hungareze; Komisioneres së Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström; Raportueses për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek; dhe Anëtares së Komitetit të Parlamentit Evropian për Liritë Politike, Drejtësinë dhe Çështje të Brendshme, Tanja Fajon.

Këto letra janë të ngjashme për nga përmbajtja.

Më poshtë mund të lexoni letrën

I nderuari z. Balla,
Po ju shkruaj për t’ua komunikuar shqetësimin tim rreth trajtimit të emigrantëve nga Kosova, të cilët aktualisht janë duke u mbajtur në kampe dhe burgje Hungareze.

Raportet e medieve kanë treguar se, në muajt e fundit, rreth 5,400 persona kanë ikur nga Kosova, shumica e të cilëve janë aktualisht të vendosur në Hungari. Siç kanë raportuar mediet, shumica e tyre po mbahen në kampe të refugjatëve, ndërsa një numër i tyre gjinden në burgje.

Gjëja më shqetësuese për t’u theksuar është fakti që ata janë duke u trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Janë marrë informacione nga autoritetet lokale rreth abuzimeve dhe keqtrajtimeve në kampe dhe burgje.

Me këtë rast, ju bëj thirrje që me të gjitha mjetet në dispozicionin tuaj të bëni thirrje drejt autoriteteve Hungareze, si anëtare e Bashkimit Evropian, që të respektojnë detyrat e tyre ndërkombëtare ndaj emigrantëve nga Kosova, në lidhje me trajtimin e tyre dhe të drejtës së tyre për vlerësim të duhur të situatës. Në veçanti, unë do të insistoja fuqimisht që të tërheqim vëmendje eksplicite tek dispozitat e përfshira në Konventën e vitit 1984 kundër Dhunës, Trajtimit, dhe Ndëshkimeve Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese.

Si kryetar i Komitetit Parlamentar për Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës, së bashku me kolegët e mi, shprehim interesimin tonë për t’u takuar me ju dhe kolegët e juaj të diskutojmë këtë shqetësim, sa më herët që të jetë e mundur duke e marrë parasysh urgjencën e çështjes.

Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme
Anëtar i Parlamentit të Republikës së Kosovës
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›