E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kurti në Austri: Bashkëpunimi ekonomik një domosdoshmëri strategjike

PRISHTINE, 4 nëntor/ATSH/ Në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në panelin me temën “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë”.

Kryeministri Kurti ka folur për temën e bashkëpunimit ekonomik, e cila sipas tij është një temë që ka rëndësi për vendin dhe rajonin tonë. Ai ka thënë se bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike, por, siç tha ai është një domosdoshmëri strategjike.

Kurti ka theksuar po ashtu se Kosova si shumë vende të tjera ka ndjerë ndikimet e pasigurive ekonomike globale dhe ndërprerjet e furnizimit dhe ndryshimit veçanërisht në vitet e fundit.

Prandaj Kurti tha se Kosova ka nevojë për bashkëpunim ekonomik. Sipas tij, Kosova nuk është një vend i madh, por siç tha ai “është një shembull i mrekullueshëm që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë paralelisht dhe ato në fakt imponojnë njëri-tjetrin”.

Ai duke folur për lirinë e lëvizjes theksoi se pa lirinë e lëvizjes ‘ne nuk do të mund të fitojmë lëvizshmërinë e studentëve dhe profesionistëve punëtorë, që është kyçe si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomisë sonë’.

Kurti theksoi se ngjashëm, fqinji ynë verior, Serbia duhet të lejojë që të huajt, destinacioni i të cilëve është Kosova, të mund të shkojnë edhe më pas në Serbi. Ai tha se fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria së pari në Kosovë, nuk mund të vazhdojë në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut.

Ky forum ofron një platformë për liderë politikë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në fushën e ekonomisë. Në Vjenë të Austrisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi ministrin federal të Punës dhe Ekonomisë së Austrisë, Martin Kocher. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›