Kurti në takim me Rutte: Të shqetësuar për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhje

PRISHTINË, 11 mars/ATSH/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në ndërtesën e Qeverisë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për herë të parë në këtë rol.
Ai e uroi për detyrën e re dhe i uroi sukses në udhëheqjen e Aleancës në këtë periudhë kritike për sigurinë evropiane dhe globale.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e çmueshëm të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Sipas një komunikate, ai theksoi se aspirata e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO reflekton përkushtimin e vendit tonë ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë dhe vullnetit për të kontribuar në fuqizimin të mëtejshëm të Aleancës.
Kurti falënderoi Sekretarin Rutte për bashkëpunimin e ngushtë mes misionit të NATO-s, KFOR-it, dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet misionit këshillëdhënës NALT.
“Në diskutim u theksua fakti se Kosova organizoi zgjedhje parlamentare të lira dhe demokratike, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve jo-shumicë. Megjithatë, Kryeministri ngriti shqetësimin për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, me mbështetjen e Rusisë, ndaj komunitetit serb përmes presionit, shantazhit dhe dezinformimit. Ai theksoi se raportet e misionit të vëzhguesve të BE-së kanë evidentuar përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si “RT Balkans” dhe “Sputnik Srbija”, të cilat kanë shpërndarë mbi 60 artikuj që synonin manipulimin e komunitetit serb në Kosovë.
Kryeministri Kurti falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe theksoi gatishmërinë e Kosovës për të qenë përherë aleate në mbrojtje të vlerave demokratike.
/Kosovapress/