Kurti pas takimit me Hamzën: Bisedë konstruktive, por pa marrëveshje konkrete

PRISHTINË, 10 korrik/ATSH/ Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur konstruktiv takimin me liderin e PDK-së, Bedri Hamza, por tha se nuk u arrit ndonjë marrëveshje për t’i formuar institucionet e reja.
Ai shtoi se institucionet e reja duhet të formohen në përputhje me vullnetin qytetar në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Ishte takim i parë dhe konstruktiv që kaloi në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit. Aktualisht nuk mund të them se kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që mund ta ndaja me publikun…Uroj që kjo frymë e konstruktivitet të vijojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet kushtetuese të arrijmë të konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetar Kuvendit, qeveri të re, dhe po ashtu president të ri. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera duhet të vijojë të mbizotërojë dhe në këtë mënyrë mund të jemi optimist për rrugën përpara”, shtoi ai.Ndërkohë, nga ana e vet, kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza tha se kjo parti do të qëndrojë në opozitë.
Ai tha se bisedat me Kurtin ishin korrekte, por i uroi atij suksese për formimin e institucioneve të reja, përfshirë presidentin.
“Qëndrimi ynë është se PDK-ja për këtë mandat është parti në opozitë. Ne i dëshirojmë sukses zotëri Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë që t’i japin vendit institucione, duke përfshirë të gjitha institucionet. Përveç PDK-së, në Kuvendin e Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë dhe matematikisht mundet me u bërë kompletimi i të gjitha institucioneve. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit në dobi dhe interes të qytetarëve të Kosovës dhe për të gjitha ato çështje ku është interesi i Kosovës, PDK-ja ka dëshmuar dhe kemi premtuar se vota e PDK-së do të jetë votë pro, duke përfshirë marrëveshje financiare dhe marrëveshje të tjera që përfshijnë dy të tretat e votave”, tha ai.
I pyetur se si do të veprojnë në zgjedhjen e presidentit, Hamza tha se përgjegjësia kryesore për formimin e institucioneve i takon LVV-së si partia me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten ka ftuar në takim edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini. Ky i fundit ka refuzuar takimin, derisa ka përmendur disa prej kërkesave të tij, përfshirë gazin amerikan për ta bërë kuorumin për presidentin.KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit të mërkurën. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse./KosovaPress/