Kurti përshëndet protestat në Tiranë: I përcjellim me shqetësim e përgjegjësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke deklaruar se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me shqetësim, kujdes dhe përgjegjësi nga Kosova.
Gjatë mbledhjes së Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti u ndal te protestat që kanë nisur prej muajit maj në Shqipëri dhe te përplasjet e fundit mes protestuesve dhe forcave të rendit.
“Shqipëria që nga maji ka qenë e përfshirë në protesta. Tash në tetor pati përplasje mes protestuesve e forcave të rendit. Shqipërinë e duam gjithmonë. Zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes e përgjegjësi, e gjithsesi me dashuri”, deklaroi Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se përparimi demokratik i Shqipërisë përbën një përgjegjësi historike kombëtare, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të drejtësisë dhe të një demokracie që nuk i nënshtrohet ndikimit të oligarkisë.
“Përparimi demokratik atje është përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët të dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulet oligarkisë”, u shpreh ai.
Sponsorizuar
Kurti reagoi gjithashtu ndaj zërave që kanë lidhur protestat në Shqipëri me Lëvizjen Vetëvendosje, duke mohuar çdo përfshirje apo instrumentalizim të tyre nga partia që ai drejton.
“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë VV-së këto protesta në Shqipëri. Por, ne jemi forcë qeverisëse e jo protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave iu kemi dalë në ballë e s’kemi qëndruar anonim. Kemi ndenjur larg instrumentalizimeve”, deklaroi kryeministri i Kosovës.
Në përfundim, Kurti theksoi se Kosova nuk do të jetë në konkurrencë me Shqipërinë dhe se Prishtina mbështet integrimin e saj europian.
“Ne jemi në krye të Qeverisë së Kosovës, dhe Kosova s’do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së”, shtoi Kurti.