Kurti reagon ndaj Prokurorisë Speciale: Po deformohet e vërteta dhe kuptimi i asaj lufte

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për dënim me 45 vjet burgim për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kurti ka theksuar se thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. Sipas tij, UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë, duke mbrojtur popullin në rrethana të okupimit të egër, kur dhuna dhe apartheida po shndërroheshin në gjenocid shtetëror.
Ai ka nënvizuar se çdo përpjekje për të shkëputur veprimet individuale nga konteksti historik dhe politik rrezikon deformimin e së vërtetës dhe kuptimit të luftës çlirimtare. Sipas Kurtit, UÇK-ja nuk ka pasur ndonjë plan shfarosjeje ndaj popujve të tjerë apo civilëve.
“Kërkesa e Prokurorisë Speciale nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës për liri, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.
Reagimi i Kurtit vjen pasi Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly Ëest, ka kërkuar dënim me 45 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
/KosovaPress/