Kurti takon Kallas: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet në Apel

PRISHTINË, 22 shtator/ATSH/ Kryeministri Albin Kurti ka ngritur para shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallasit shqetësimin për dënimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke i cilësuar të padrejta. Në takimin në selinë e OKB-së në New York, ai kërkoi edhe trysni ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë.
Kurti bëri të ditur se me përfaqësuesen e lartë të BE-së diskutoi aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara. Sipas tij, procesi është karakterizuar nga mungesa e transparencës.
“Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se gjykimi nuk ka përfunduar. Sipas tij, Kosova do të angazhohet që procesi dhe verdikti të korrigjohen në shkallën e apelit.
Në këtë kontekst, Kurti tha se UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dhe spastrimit etnik nga Serbia. Ai e cilësoi luftën e saj për liri të drejtë dhe të pastër, ndërsa Serbinë agresore me plan gjenocidal.Kurti kujtoi qindra mijëra qytetarë të dëbuar nga shtëpitë dhe mijëra të vrarë gjatë luftës. Ai përmendi edhe rreth 20 mijë gra e burra që konsiderohen viktima të dhunës seksuale të përdorur si armë lufte. Sipas tij, shumë krime të forcave serbe mbeten ende të pandëshkuara.
Në takim, kryeministri kërkoi gjithashtu mbështetjen e BE-së për sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë. Ai rikujtoi se më 24 shtator mbushen 3 vjet nga sulmi ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Ndërkohë, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, ka deklaruar Kurti.
Pjesë e diskutimit ishte edhe gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti tha se ata përballen me diskriminim, mungesë të të drejtave të barabarta dhe nënpërfaqësim të theksuar në institucione. Heqjen e adresave të tyre ai e cilësoi si “spastrim etnik administrativ”.
Duke folur për integrimin evropian, Kurti e kritikoi orientimin e Serbisë drejt Rusisë dhe Kinës. Sipas tij, Serbia u kthen shpinën vlerave demokratike, ndërsa interesohet për fondet e BE-së.Për Kosovën, ai theksoi përcaktimin e palëkundur drejt integrimit evropian dhe euroatlantik, duke kërkuar statusin e vendit kandidat.
“Jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuajse të gjitha fushat dhe jemi të gatshëm të punojmë edhe më shumë, andaj përgjigjja e duhur dhe e domosdoshme e Brukselit do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim. /KosovaPress/