E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kurti vizitë në Leposaviç: Një objekt të braktisur po e shndërrojmë në maternitet

PRISHTINË, 9 tetor/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, u pritën në Komunën e Leposaviçit nga kryetari Lulzim Hetemi dhe nënkryetarja Marina Bogojeviç.

Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti ngriti çështjen e mungesës së një materniteti në Komunën e Leposaviçit, për të cilin, së bashku me ministrin Vitia dhe drejtorin Ndrejaj, vizituan objektin që parashikohet të shndërrohet në maternitet. 

“Jemi të interesuar që këtë objekt të zbrazët dhe i cili i është nënshtruar dëmtimit të vazhdueshëm, ta rinovojmë, duke e shndërruar në maternitet për qytetarët e kësaj komune, të cilët fatkeqësisht detyrohen që lindjet e grave të tyre të shkojnë me dhjetëra kilometra larg në Novi Pazar, të kalojnë kufirin dhe të lindin atje. Andaj, është e rëndësishme që të ketë një maternitet në Komunën e Leposaviqit edhe për këtë kemi ardhur këtu”, tha Kryeministri Kurti. 

Ai vuri theksin edhe te rëndësia e muajit tetor, i cili shënohet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Kryeministri u shpreh i kënaqur që një mamograf mobil do të qëndrojë për dy ditë në qendër të Leposaviçit, duke u ofruar grave dhe vajzave mundësinë për kontrolle pa pagesë.

Kurti theksoi se përmes kësaj nisme po rritet ndërgjegjësimi dhe po kontribuohet në diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. 

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjithashtu bëri thirrje për të gjitha gratë që të përfitojnë nga shërbimi falas i mamografit mobil në Leposaviç. 

“Diagnostikimi në Kosovë po ndodh kryesisht në fazën e parë dhe të dytë, dhe kjo është falë vetëdijes së qytetarëve dhe ekzaminimeve të tilla si mamografia,” tha ministri Vitia, duke theksuar se shërimi varet shumë nga koha e diagnostikimit.

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›