E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kush u qëllua me armë në Vlorë, detajet si u plagos 37 vjeçari

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen me armë zjarri të ndodhur mbrëmë e në Sevaster të Vlorës.

Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri është 37-vjeçari Shpati Kamberaj, i cili është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Kamberaj është qëlluar me një plumb në pjesën e femurit, në njërën këmbë. Fatmirësisht, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se pas ngjarjes, 37-vjeçari është transportuar fillimisht nga familjarët drejt fshatit Kotë, ku është marrë nga ambulanca dhe më pas është dërguar në spital.

Pas mbërritjes në spital, ai është futur në sallën e operacionit, ku po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për trajtimin e plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motiveve që çuan në plagosjen e 37-vjeçarit.

a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›