E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kushtet e Parlamentit Europian për Shqipërinë, PD kërkon mocion me debat në Kuvend

Gazment Bardhi shpjegon kompromisin për listat: Nuk e dimë nëse do të jetë më mirë apo më keq. Por është progres

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me Rezolutën e Parlamentit Europian mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025. Kërkesa mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, dhe i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Në dokument theksohet se rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian më 17 qershor 2026 përmban 20 shqetësime madhore që kërkojnë trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë.

Mes çështjeve të ngritura nga Parlamenti Europian janë shqetësimet për mungesën e barazisë së kushteve në zgjedhje, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerje votash dhe presion ndaj votuesve. Po ashtu, kërkohet një reformë e gjerë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Rezoluta ngre shqetësime edhe për polarizimin politik, funksionimin e institucioneve demokratike dhe nevojën për përfshirjen e plotë të opozitës në proceset parlamentare. Një tjetër pikë lidhet me pavarësinë e gjyqësorit, ku kërkohet zbatimi i vendimeve të gjykatave dhe forcimi i balancës institucionale.

Sponsorizuar

Në kërkesën e PD-së përmenden gjithashtu shqetësimet e Parlamentit Europian për korrupsionin, duke nënvizuar rënien e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2025. Rezoluta kërkon garantimin e pavarësisë së SPAK-ut, rritjen e kapaciteteve hetimore dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Parlamenti Europian dënon sulmet dhe presionet ndaj mediave të pavarura, ndërsa shpreh shqetësim për numrin e lartë të padive kundër gazetarëve.

Po ashtu, rezoluta kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe vendosjen e një moratoriumi për lejet dhe projektet e reja në zona me vlera të larta ekologjike, përfshirë Vjosë-Nartën. Dokumenti evidenton gjithashtu shqetësimet për investimet strategjike, regjistrimin e pronave, prokurimet publike dhe parregullsitë e konstatuara nga OLAF në programin IPARD II.

Demokratët kërkojnë që Konferenca e Kryetarëve të mblidhet më 23 qershor dhe kjo çështje të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare të 25 qershorit. Sipas tyre, debati është i domosdoshëm pasi integrimi europian është shpallur prioritet absolut i kësaj legjislature.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›