Kuvend, betohet deputeti i PS-së Anduel Xhindi
Kuvendi i Shqipërisë nisi punimet e seancës së sotme me ceremoninë e betimit të deputetit të ri të PS-së, qarku Fier, Anduel Xhindi, djali i deputetit të vrarë Fatmir Xhindi.
Deputeti Anduel Xhindi zëvendësoi ish-deputeten socialiste, Ermelinda Meksi, e cila u zgjodh anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Anduel Xhindi, djali i deputetit të vrarë Fatmir Xhindi, do të jetë deputeti i Partisë Socialiste në të njëjtën zonë elektorale të cilën i ati ka përfaqësuar për 12 vjet dhe 3 legjislatura rresht në Parlamentin shqiptar.
Ndërkohë ai është deputeti i tretë që do betohet në gjysëm të mandatit dhe legjislaturës parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, pas Paulina Hoxhës dhe Ramiz Çobës, të dy deputetë të qarkut të Shkodrës ku Hoxha zëvendësoi Ilir Beqjan ndërsa deputeti i PD-së Çobo zuri vendin e Gëzim Dibrës pas ndarjes së këtij të fundit nga jeta.