Kuvendi i 2 shtatorit/ Gjykata e Tiranës nis shqyrtimin e kërkesës së PD

Gjykata e Tiranës shqyrtoi të enjten (19 tetor) kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e ndryshimeve statutore të Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit dhe caktoi të mërkurën e 25 tetorit për seancën e radhës.
PD-ja zyrtare u përfaqësua të enjten nga Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa. Në gjykatë për Gazment Bardhin erdhën Marash Logu dhe Redi Rama, ndërsa nga grupi i Rithemelimit e Berishës, Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.
RTSH mëson se përfaqësuesi i PD-së, Indrit Sefa, gjatë seancës deklaroi se Rithemelimi nuk ka status juridik për të propozuar përfaqësues.
“Rithemelimi nuk ka status juridik për të propozuar përfaqësues në këtë çështje. Nuk kanë autorizim për këtë gjykim“, ka thënë Sefa.
Sipas gjykatës, përfaqësuesit e Rithemelimit ndërkohë do duhet të dorëzojnë akt përfaqësimi nga Komisioni i Rithemelimit.
Kuvendi Kombëtar i PD-së në mbledhjen e 2 shtatorit mori disa vendime, sikurse ishte dhe ndryshimi i nenit 48, i cili i jep kreut demokrat, Lulzim Bashës edhe postin e kreut të grupit parlamentar.
/rtsh.al/