Kuvendi i Kosovës s’ka dakordësi për mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve

PRISHTINË, 9 shtator/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë për 30 minuta seancën konstituive të Kuvendit, meqë partitë parlamentare nuk janë pajtuar për formën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
Shefja e re e parlamentit, që u zgjodh pak minuta më parë, ftoi grupet parlamentare për një konsultë në zyrën e saj për të vendosur nëse nënkryetarët duhet të votohen në një votim të plotë ose jo.
“Ka propozime që të shkojnë në paketë të gjithë. Në anën tjetër ka rezerva për këtë formë të votimit. Prandaj po i ftoj edhe grupet parlamentare në zyrën time dhe po bëjmë 30 minuta pauzë. Ndërkohë kërkoj nga administrata që të na njoftojë për formën e propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, nëse është në linjë me Kushtetutën. Nëse nuk është në linjë me Kushtetutën, zbatohet rregullorja”, tha ajo.
LVV propozoi për nënkryetar Ardian Golën, Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitakun, Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën.
Sllavko Simiq u propozua për këtë pozitë nga Lista Serbe ndërsa komunitetet tjera dhanë emrin e Emilija Rexhepit për ulësen numër dy në parlament. /KosovaPress/
/KosovaPress/