E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuvendi i RMV pro propozimit francez, Meta: Përgëzoj politikën shqiptare për besnikërinë e orientimit europian

Miratimi i propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut duke i hapur rrugën negociatave të dy vendeve është përshëndetur nga presidenti Ilir Meta.

Për Metën vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane.

“Përshëndes votimin pro-formulës Makron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona.

Përgëzoj faktorin politik shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike.

Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse“, shkruan Meta.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, duke i hapur rrugën drejt integrimit evropian Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›