Kuvendi mbajti seancën plenare të “Javës së Gjelbër”

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Kuvendi zhvilloi sot, nën drejtimin e kryetarit Niko Peleshi, seancën plenare të “Javës së Gjelbër”, e cila iu kushtua problematikave të evidentuara nga deputetët gjatë takimeve me zgjedhësit në zonat e tyre.
Gjatë punimeve, deputetët paraqitën në Kuvend çështjet dhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët gjatë kontakteve në territor, duke sjellë në diskutim problematika që lidhen me jetën e përditshme të komuniteteve.
Në fokus të diskutimeve ishin infrastruktura dhe shërbimet publike, arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe zhvillimi rural, punësimi, mbështetja sociale, si dhe çështje të zhvillimit ekonomik të zonave të ndryshme të vendit.
“Java e Gjelbër” vijon të shërbejë si një hapësirë për përcjelljen në Kuvend të problematikave të evidentuara nga deputetët gjatë takimeve me qytetarët në zonat zgjedhore.
Seanca plenare i përfundoi punimet rreth orës 18:00.
/gj.m/j.p/