E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi në seancë plenare, interpelancë me ministrin Malaj

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare ku në rend të ditës është një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku mbi performancën buxhetore në fushën e shpenzimeve dhe të ardhurave.

Më tej, deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektligjesh, ndër të cilat projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, projektligji “Për censin e bujqësisë”, ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e kimikateve”, ndryshimet në ligjin “Për akuakulturën” dhe ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”.

Në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi, përfshirë marrëveshjen e bashkëpunimit teknik me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë për vitin 2025, marrëveshjen e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe lidhjen hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe Konventën për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.

Seanca parashikon gjithashtu shqyrtimin e projektligjit për disa ndryshime në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë” dhe projektvendimin për emërimin e një anëtari të Këshillit të Statistikave.

Në seancë pritet edhe miratimi i  projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025 të shqyrtuara në seancën e shkuar.

Kuvendi do të shqyrtojë miratimin e projektrezolutave për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, Institutin e Statistikave, Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Radiotelevizionin Shqiptar, Autoritetin e Mediave Audiovizive, Entin Rregullator të Energjisë dhe Entin Rregullator të Ujit.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›