Kuvendi rikonfirmon ligjin e mbetjeve

Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me 73 vota kundër dekretin e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, i cili kishte kthyer për diskutim ligjin e mbetjeve, duke konfirmuar kështu përfundimisht një projektligj ndër më të debatuarit në historinë e parlamentarizmit shqiptar.
Gjatë të gjithë ditës u zhvilluan debate të ashpra, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u shpreh se ky do të jetë ligji i parë që do të rrëzohet në momentin që PS do të kalojë në pushtet.
Gjithashtu, Kuvendi rrëzoi edhe dekretin e dytë të Presidentit, atë që propozonte Sali Shehun për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërkohë, u miratua me shumicë mandati i ri i Ardian Fullanit si antar i bordit të Bankës së Shqipërisë. Me vetëm shtatë vota kundër, u miratua edhe emërimi i Ermelinda Meksit në bordit drejtues të Bankës së Shqipërisë.
Braçe: Miratohet ligji i kancerit
Në vijimin të punimeve në Kuvendin e Shqipërisë gjatë pasdites, deputeti Erion Braçe, ritheksoi se importimi i plehrave ka si qëllim të vetëm pasurimin e zyrtarëve në pushtet. “Maja e plehrave që aktualisht janë në Shqipëri e kalojnë edhe majën më të lartë në vend, atë të Korabit. Berisha po sillet me këtë ligj si një biznesmen i babëzitur dhe jo si një njeri që në profesion është mjek dhe i njeh shumë mirë pasojat që mund të krijojë për shëndetin nga ky import i plehrave. Nëse ky ligj shkon përpara, mbetjet e çdo cepi problematik të Europës do të na vijnë e do të na sëmurin me gjithëfarë sëmundjesh këtu”.
Duke shpjeguar problemin, Braçe argumentoi se “problem aktual i plehrave shkaktohet për tre arsye. E para lidhet me mosdiferencimin e plehrave, të cilat trajtohen të gjitha së bashku. E dyta, me depozitimin masiv në fusha pranë periferisë së qyteteve kryesore dhe lumenjve. Dhe e treta, nga djegia e tyre në fusha të stërmbushura me mbeturina. Me ligjin e ri, do të infektohet edhe ajo pjesë e mjedisit që tani ka shpëtuar, nëntoka, burimet nëntokësore dhe gjithçka tjetër. Problemi kryesor, ai i ndarjes së plehrave, me këtë ligj shtyhet edhe për të paktën shtatë vjet të tjerë, për të paktën edhe shtatë vjet pirgjet do të shtohen njëri pas tjetri me mbeturina kancerogjene dhe shkaktare të gjithëfarës sëmundjesh. Përse keni frikë nga referendum zoti Kryeministër? Këtë vendim duhet ta marrin shqiptarët dhe jo klanet e tua mafioze”.
Braçe solli prova që sipas tij tregojnë se Berisha është përfshirë që më përpara në afera korruptive me plehrat, ndërsa solli dokumenta për takimin e Kryeministrit me dy biznesmenë serbë dhe “një pseudobiznesmen” gjerman. “Në dokument shkruhet se kompania kishte gjetur një vend me klimë të përshtatshme dhe fuqi punëtore të kualifikuar për bizneset e Berishës”, theksoi Braçe.
Replika e Berishës: Shqiptarët kanë çdo garanci që u duhet
Kryeministri i vendit iu përgjigj me ashpërsi deklaratave të deputetit Braçe, ndërsa theksoi se shqiptarët kanë çdo garanci për importin e kontrolluar të mbetjeve. “Ju e dini shumë mirë që nga 400 lloje mbetjesh, vetëm 50 do të lejohen të futen në Shqipëri dhe për çdo import të vetëm do të duhet miratimit i Këshillit të Ministrave. Çfarë garancie më të lartë se kaq mund t’u japim shqiptarëve? “.
Berisha u rikthye me akuzat për opozitën që mban peng vendin: “Ju i keni nxjerrë kartonin e kuq integrimit të vendit dhe keni në dorë t’ia nxirrni përsëri për ligjet që kërkojnë 3/5, por ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë dhe ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë, nuk mund t’I nxjerrim shqiptarëve që na kanë besuar kartonin e kuq. Me këtë qëndrim tuajin ndaj ligjit të plehrave, shqiptarët kanë kuptuar se pas jush nuk qëndron interesi për shëndetin, por ai për të mbrojtur klanet tuaja klienteliste, përqindjet e njerëzve që përfitojnë nga importi i pakontrolluar i plehrave në Shqipëri”.
Kryeministri iu referua edhe reagimeve të ashpra të shoqërisë civile, e cila më parë gjatë ditës ishte mbledhur në një protestë të fuqishme përpara Kuvendit. “Kam respektin më të thellë për shoqërinë civile dhe përfshirjen e saj në këtë proces. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e ambientit të vendit në vitet e fundit. i garantoj ata, përfshi militantët e kësaj shoqërie, që do të jenë palë me qeverinë dhe që do të kenë akses të plotë në importin transparent që do të bëhet”.
Berisha shpjegoi se ligji nuk mund të vonohej më: “Aktualisht, Shqipëria eksporton 96 mijë tonë mbetje në vendet e Bashkimit Europian. Nuk mund t’u mohojmë atyre këtë të drejtë që ata na e kanë dhënë”.
Kundërpërgjigja e Ruçit: Plehrat, tashmë monopol i Berishës
Në një kundërpërgjigje të hidhur, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, sulmoi direkt Berishën për interesa klienteliste në kalimin e këtij ligji në parlament. “Në ligjëratën e gjatë, Kryeministrit i shpëtoi në një moment edhe një e vërtetë. Shqiptarët që na ndjekin në këtë debat e kuptojnë që pas ligjit qëndrojnë interesa dhe kjo është e vërtertë. Mos u ngopsh, të thonë ata, edhe nga plehrat do që të fitosh. Së dyti, po mirë punët e tjera aq di dhe aq bën, por si mjek, si ka mundësi që e shndërron në një tragjedi ekologjike kërë vend. Së treti, po të drejtohem me një pyetje Zoti Kryeministër. Kur ke të drejtë, sot që po miraton këtë ligj apo në 2004-n, kur e kundërshtove me çdo forcë në këtë foltore dhe bëre të mundur që Partia Socialiste atëherë në pushtet të anullonte kontratën me një kompani italiane. Të njëjtën gjë kërkojmë edhe ne që të bësh”.
if (window.ads_ad_block){ads_ad_block=ads_ad_block+1;}else{ads_ad_block=1;} function showAdBlock_2136(ppc_ad_block_count) { title = document.title; show_ads_id = 2136; show_ads_url = "http://www.kosoftads.com/publisher-show-ads.php"; block_count=ppc_ad_block_count; iframe_width=580; iframe_height=115; metainfo=document.getElementsByTagName('meta'); ref=document.referrer; showContentAds(metainfo); } setTimeout("showAdBlock_2136("+ads_ad_block+")",1000*(ads_ad_block-1));
Lajmet kryesore
Qytetarët kundër importit të mbetjeve
Protestë para parlamentit: Boll kemi plehrat tona
Rama: Importi i plehrave, tradhëti
“Plehrat”, BE e shqetësuar
“Rilindja Shqiptare”, programi i PS