Kuvendi rrëzon kërkesën e PD për komision hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së “KAYO”

TIRANË, 9 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi rrëzoi sot me 84 vota kundër kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake””.
Gjatë prezantimit të nismës, deputeti i PD-së Klevis Balliu theksoi se ndalimi i ngritjes së këtij komisioni hetimor po bëhet me pretendime bosh.
Sipas tij, “justifikimi që këto janë çështje nën hetim nga SPAK nuk përbën problem për vetë SPAK-un, i cili ka kthyer përgjigje”.
“SPAK ka kthyer përgjigje ndaj pyetjes sime nëse komisionet hetimore apo edhe interpelancat dëmtojnë hetimet e prokurorisë. SPAK ka kthyer përgjigje që janë pushtete të ndara. Punët e parlamentit janë punët e parlamentit, komisionet hetimore janë komisione hetimore. Sepse ne nuk bëjmë as vendime gjykatash, as arrestim”, tha Balliu.
Sipas tij, komisioni hetimor ndihmon çfarëdolloj hetimi që po bën drejtësia.
“Parlamenti ka një funksion të bëjë kontrollin e qeverisë dhe ka disa mjete, si interpelancat dhe komisionet hetimore. Këto komisione hetimore këta duan t’i ndalojnë sepse e dinë fare mirë që ai komision do të hedhi dritë mbi këtë çështje”, tha Balliu.
Ndërsa, kryetari i grupit parlamentra të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se kërkesa nuk përmbush asnjë kriter kushtetues dhe ligjor për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.
Ndërkohë ai theksoi se të gjitha çështjet që ka kërkuar opozita do t’i gjejë te ‘Pasqyra Flamingo’ në ditën në vijim.
“Nuk ka një çështje të veçantë. Objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë, përfshin një sërë çështjesh të ndryshme pa shkuar në individualizim të faktit apo të grupit të fakteve konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar. Nuk janë përcaktuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publik apo të përfaqësuesve të shoqërisë ‘Kajo’, akte, kontrata konkrete që pretendohet se janë të paligjshme”, shtoi Balla.
Objekti për ngritjen e këtij komisioni, sipas tij, synon kontrollin e përgjithshëm të gjithë veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështje të individualizuar me një rëndësi të veçantë publike.
“Tetë pikat që përbëjnë objektin e propozuar kanë natyrë të ndryshme dhe heterogjene duke përfshirë marrëdhënie kontraktuale, veprimtari prodhuese, tregtare në fushën ushtarake, fonde buxhetore, dyshime për trafik armësh etj. Një shtrirje e tillë e objektit nuk mundëson aspak përcaktimin e saktë të kufijve të hetimit”, shtoi Balla.
Po ashtu, sipas tij, “kërkesa nuk evidenton gjithashtu indice konkrete dhe të mjaftueshme për paligjshmëri”.
“Prokuroria e Posaçme ka një hetim. Koha kur hetonim njëri-tjetrin në debate parlamentare ka përfunduar. Tani duhet t’i japim sa më shumë mbështetje SPAK të bëjë detyrën e vetë e pandikuar, e pavarur nga çdo lloj ndikimi politik”, argumentoi Balla. /j.p/