Kuvendi, sesion special i Forumit të 10-të Ndërkombëtar të Veprimit të Shoqërisë Civile

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot në sallën e seancave plenare sesionin special të Forumit të 10-të Ndërkombëtar të Veprimit të Shoqërisë Civile Gratë, Paqja dhe Siguria, “Ndërtimi i paqes në kohë pesimizmi”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, zëvendëskryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Evis Kushi, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të botës.
Në nisje të aktivitetit, deputetja Evis Kushi u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve, në veçanti grave paqendërtuese nga 40 vende të botës, kryesisht nga zonat e konfliktit.
“Shqipëria ka shënuar arritje dhe kontribute të rëndësishme në avancimin e axhendës për gratë, paqen dhe sigurinë. Ky forum është një mundësi unike për të diskutuar sfidat globale dhe për të ndarë strategjitë inovative që gratë paqendërtuese përdorin në nivel global, për të parandaluar dhe zbutur dhunën si dhe për të transformuar krizat dhe konfliktet”, u shpreh Kushi.
Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, gjatë fjalës së saj u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë, përveç axhendës kombëtare, është angazhuar dhe mbështet nismat rajonale e ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, ka nxitur dhe do të vijojë të nxisë qeverinë dhe institucionet të rrisin kontributin në këto nisma.
Felaj u shpreh se Kuvendi do të vijojë të mbështesë Planin e Veprimit për axhendën Gruaja, Paqja dhe Siguria, si një kontribut për barazinë gjinore dhe nxitjen e përfshirjes ekonomike, politike e shoqërore të grave e vajzave.
“Jo vetëm gratë e vajzat deputete, por të gjithë anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë do të vijojnë të kontribuojnë si partnerë kryesorë për realizimin e nismave në kuadër të agjendës së mësipërme, duke e reflektuar këtë agjendë në veprimtarinë ligjbërëse e mbikëqyrëse, ashtu edhe nëpërmjet nismave dhe veprimtarive të dedikuara”, u shpreh Felaj.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, u shpreh se, takimi i 10-të i këtij forumi vjen në një moment vendimtar teksa jemi dëshmitarë të sfidave komplekse të sigurisë që burojnë nga një peizash gjeopolitik i trazuar me pasoja afatgjata për gratë dhe vajzat.
“Të gjithë kemi mundësinë të shkëmbejmë përvojat më të mira në kuadër të agjendës gratë, paqja dhe siguria, si dhe të eksplorojmë angazhimet e përbashkëta dhe rolin e grave e vajzave në proceset e paqes”, u shpreh Fino.
Në aktivitet përshëndetën edhe ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, Lejdi Dervishi, drejtoresha e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Rudina Çollaku, drejtoresha Ekzekutive e Qendrës së Grave për Zhvillim dhe Kulturë Shqipëri etj.
1 nga 11/r.e/