E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvendi vendos, mandati i Olta Xhaçkës nuk shkon në Gjykatën Kushtetuese

Nga Olta Blaceri

Socialistët votuan kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Vetëm 39 deputetë të opozitës mbështetën me votë dërgimin e çështjes së ish-ministres së Jashtme në Kushtetuese, ndërkohë që 72 deputetë të mazhorancës për të dytën herë dolën në mbrojtje të deputetes socialiste olta Xhaçka duke votuar kundër.

Qëndrimi i mazhorancës u mbrojt  nga Klotilda Bushka, ndërsa ai i opozitës nga Gazment Bardhi

Ndërkohë që vetë deputetja socialiste Olta Xhaçka sqaroi se nuk e ka shkelur Kushtetutën pasi asnjëherë nuk ka përfituar fonde apo pasuri publike, as ajo dhe as familjarët e saj.

“Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike! Zero! Asnjë centimetër katror truall shtetëror! Zero! Asnjë lehtësi procedurale te ndryshme nga të tërë të tjerët. Zero!”, u shpreh Xhaçka.

Xhaçka ka theksuar se e vetmja gjë që bashkëshorti i saj ka përfituar është e drejta e përdorimit të plazhit.

“Dhe e dini çfarë është përfitimi nga statusi i investitorit strategjik te asistuar (i cili nuk është e njëjta gjë me statusin e shumëpërfolur te investitorit strategjik), pra përfitimi që sidoqoftë në çdo rast, ligjërisht, nuk i atribuohet fare drejtpërdrejtë bashkëshortit tim për një investim në hoteleri që kurrë mos u bëftë pas gjithë kësaj balte të pamerituar që solli në jetën tonë, por kompanisë, e cila në një të ardhme do të menaxhojë aktivitetin? Vetëm e drejta për t’u trajtuar me prioritet për lidhjen e njërës nga 1500 kontratat e përvitshme të qirasë për sipërfaqen e plazhit përpara hotelit! Pra të nxjerrë shezlonet në plazh”, vijoi Xhaçka.

Por sqarimet e Olta Xhaçkës nuk e kanë bindur opozitën e cila deklaroi se deputetja socialiste ka shkelur kushtetutën.

“Ditën që ky Parlament do grisë vendimin e Kushtetuese për ty, ky Parlament nuk është më i shqiptarëve por është Parlamenti i Artan Gaçit dhe Olsi Ramës”, tha Bardhi.

Në janarin e vitit 2023 Gjykata Kushtetuese vendosi që parlamenti duhet të çojë çdo kërkesë për mandatin e deputetëve në këtë gjykatë. Por pas votimit të sotëm e vetmja zgjidhje që ka grupi parlamentar i PD është t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›