Kuvendi vizitë monitoruese në IEVP Lezhë, Kupi: Angazhim për trajtim dinjitoz të pacientëve

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, priti përfaqësues të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët zhvilluan një vizitë monitoruese në IEVP Lezhë.
Gjatë vizitës, delegacioni u njoh nga afër me kushtet e trajtimit të pacientëve ndaj të cilëve është vendosur masa “mjekim i detyruar”, si dhe me shërbimet dhe kujdesin e ofruar në funksion të respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënvizoi se mbetet e angazhuar për garantimin e të drejtave dhe trajtimin dinjitoz të personave të privuar nga liria, përfshirë pacientët me masën “mjekim i detyruar”, si dhe për forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve në sistemin penitenciar.
/m.q/j.p/