E Diel, 1 Nëntor 2026

'Kuvendimi Mjedisor, Tirana 2013”, Basha: Masa për cilësinë e ajrit

TIRANË- Nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës gjatë një viti e gjysëm kanë bërë që niveli i cilësisë së ajrit në një prej zonave më të ndotura të Tiranës, në qendër të saj, referuar raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2012, të arrijë normën e BE-së. Në vitin 2011, vlerat e PM (pjesëzave të ngurta) ishin 52,6 mikrogram/metër kub, në raport me vlerën limit të BE-së prej 40 mikrogram/metër kub, ndërsa në vitin 2012, ky nivel është ulur në 34,2 mikrogram/metër kub. Në konferencën mjedisore “Kuvendimi Mjedisor i Tiranës 2013”, zoti Basha ka bërë të ditur edhe nisma të tjera që do të merren nga Bashkia, për të përmirësuar sa më shumë mjedisin dhe cilësinë e ajrit në kryeqytet.

“Brenda një kohe fare të shkurtër, do të hedhim një hap të shumëpritur për çiklistët e qytetit, investimin e Bashkisë së Tiranës për hapjen dhe rehabilitimin e afro 22 km rrugëve të reja për çiklistët në qytet, dhe në bashkëpunim me një sërë projektesh të tjera uljen e përdorimit të automjeteve private, veçanërisht për distanca të vogla. Po kështu, me Korporatën Ndërkombëtare për Financim ne po përfundojmë dhe së shpejti do të hapim procedurat për koncesionin e mbledhjes dhe trajtimit të mbetjeve të ngurta në qytet” – u shpreh z. Basha

Pranë zyrës së Kryetarit të Bashkisë funksionon një aparat i plotë i cili merret me hartimin dhe së shpejti monitorimin për zbatimin e kodeve të gjelbra të qytetit, kode të cilat do të zbatohen me përpikmëri në çdo investim publik të qytetit, duke filluar me bulevardin e ri i cili nis nga puna brenda javësh dhe duke u shtrirë me vendosmëri edhe tek investimet private që pritet të marrin jetë pas miratimit dhe fillimit të zbatimit të planit urbanistik të Tiranës.

“Këto kode të gjelbra kanë si qëllim kryesor minimizimin e impakteve negative të zhvillimeve të tilla si ndërtimet dhe maksimalizimin e përdorimit të mjedisit si një avantazh, qoftë nga pikëpamja e energjisë diellore, e ujërave atmosferikë, pra e rreshjeve apo e bimësisë natyrale, me qëllim që kjo bimësi apo zonat e mbjella të qytetit, zonat e gjelbra të qytetit, të shtohen sa më shumë. Këtu, ju kujtoj se brenda një viti kemi mbjellë 12 500 pemë në qytet, vetëm 3000 pemë më pak se ç’u mbollën për 11 vite me radhë. Pa dyshim, besoj se kjo do të ketë një lidhje, z. Deliu edhe me rezultatin e matjeve që tregojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit” – u shpreh kreu i Bashkisë.

Zoti Basha ka një plan dhe është i gatshëm të ndërmarrë çdo hap edhe për kontrollin e karburanteve që përdorin makinat në kryeqytet.

“Ne do të marrim masa të forta, do të krijojmë kuadrin e nevojshëm bashkiak, në mënyrë që çdo stacion benzinat brenda territorit të Bashkisë, të dopio-kontrollohet për cilësinë e karburantit që u jep automjeteve në qytet” – u shpreh z. Basha.
(e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Basha: Në katër vjet, do të mbjellim më shumë pemë se në 11 vitet e fundit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›