E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe në Gjermani për Kapllanin e Berishën

Entuziazmi ka përfshirë edhe trajnerin kuqezi Josip Kuzhe, që e mori drejtimin e Shqipërisë në një moment shumë delikat. Në tri ndeshje, ndër të cilat dy miqësore, Kuzhe ka arritur një fitore, një barazim dhe një humbje, kjo e fundit me Portugalinë. Sipas programit njëvjeçar që kroati i ka paraqitur FSHF-së, do t’i kushtohet rëndësi e veçantë vëzhgimit të futbollistëve aktualë dhe atyre që pritet të veshin fanellën e kombëtares kudo që janë.

Takim kokë më kokë me Kapllanin e Berishën

Ndaj Qipros trajneri i kombëtares nuk grumbulloi dy sulmues, Edmond Kapllanin dhe Besart Berishën, duke e shpjeguar këtë vendim me dhënien e mundësisë disa të rinjve, që aspironin të bëheshin pjesë e kombëtares. “Kam folur me Berishën në telefon dhe i kam shpjeguar se ai është pjesë e kombëtares, por e kam lënë jashtë formacionit, bashkë me Kapllanin, për t’u dhënë shansin futbollistëve të rinj, - do të shprehej Josip Kuzhe në konferencën për shtyp para miqësores. - Do t’i vëzhgoj dhe takoj të dy menjëherë pas ndeshjes.

Dhe Kuzhe e ka seriozisht. Të nesërmen e fitores më të thellë të kombëtares shqiptare në historinë e saj, Josip Kuzhe u largua nga Shqipëria. Sepse ka plane të tjera në kuadër të programit njëvjeçar me kombëtaren. Sot, tekniku kroat do të vëzhgojë nga afër takimin e Bundesligës Hanover-Mainc, me të cilat luajnë dy kuqezinjtë, Altin Lala dhe Jahmir Hyka. Në fakt, kapiteni i kombëtares sonë nuk do të jetë në formacion për shkak të dëmtimit që ka pësuar dy javë më parë në një ndeshje kontrolli, ndërsa Hyka shpresohet që të aktivizohet qoftë për disa minuta.

Turi i Kuzhes në Gjermani do të vijojë nesër në takimin Augsburg-Oberhauzen. Në lenten e kroatit do të jetë Edmond Kapllani, i cili “braktisi” Karlsruhen pas shtatë viteve për t’iu bashkuar Augsburgut. Kuzhe nuk do të mund të ndjekë Koblenz-Bielefeld, pasi luhet në të njëjtin orar. Gjithsesi, kroati do të takohet edhe me Besart Berishën, me të cilën duhet të sqarojë “keqkuptimin” e mosthirrjes në kombëtare.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›