E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ky këshill bashkiak duhet të jetë super krenar”, Veliaj: Tirana, rekord historik në ndërtimin e objekteve arsimore brenda 9 viteve

Për herë të parë në historinë e saj si kryeqytet, Tirana ka ndërtuar brenda një periudhe 9-vjeçare 109 çerdhe dhe kopshte, si dhe 45 shkolla të reja. Lajmin e dha Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku prezantoi edhe projektet e reja për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve arsimore.

“Përsa i përket infrastrukturës arsimore, ky këshill bashkiak duhet të jetë super krenar sepse në këto 9 vite kemi bërë 109 kopshte dhe çerdhe që nuk ishin përpara, pra o disfunksionale ose nuk ekzistonin fare 109 kopshte dhe çerdhe dhe 45 shkolla. Ka nga ata që lodhen  duke i dëgjuar, që ne i kemi bërë 45 shkolla”, u shpreh Veliaj.

Sipas Veliajt, janë në proces ndërtimi ose rikonstruksioni shtatë objekte të reja arsimore:

  • Ndërtim kopshti dhe çerdheje të integruar në zonën e ish-shkollës 9-vjeçare “Migjeni”;
  • Ndërtim i palestrës dhe ambienteve shtesë në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi”;
  • Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Kol Jakova”;
  • Ndërtim i shkollës 9-vjeçare në Rrugën “Muharrem Caushi”,
  • Ndërtim kopshti dhe çerdheje të integruar në Rrugën “Muharrem Caushi”,
  • Ndërtim shkollë 9-vjeçare (Tipi 2) dhe të mesme (Tipi 4) në Rrugën “3 Dëshmorët”
  • Ndërtim shkollë 9-vjeçare (Tipi 1) në Rrugën “Selitë e Vjetër”

Gjithashtu, janë lidhur kontratat për ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa shkollave të tjera:

  • Ndërtim i shkollës 9-vjeçare “Edit Durham”;
  • Rikonstruksion i shkollës 9-vjeçare “Shyqyri Peza”;
  • Ndërtim terrenesh sportive dhe muri rrethues për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sander Prosi”;
  • Ndërtim i shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Hima”;
  • Ndërtim i shkollës së Mesme të Bashkuar “Mersin Duqi”;
  • Ndërtim i shkollës së Mesme të Bashkuar në Krrabë.

Gjithashtu, po ndërtohen dhe 2 objekte “Ndërtim i shkollës 9 vjeçare Arbanë dhe ndërtim i shkollës Profesionale .

Veliaj bëri të ditur se janë planifikuar edhe projektimi dhe ndërtimi i katër shkollave të reja:

  • Ndërtim i një shkolle të mesme (Tipi 4) në Rrugën “Elbasanit” (Njësia 2);
  • Projektim për ndërtimin e një kopshti dhe çerdheje të integruar pranë Kompleksit “Mangalem” (Njësia 1);
  • Projektim për ndërtimin e një shkolle të mesme (Tipi 4) në Rrugën “Stavri Themeli” (Njësia 7);
  • Projektim për ndërtimin e një shkolle të mesme (Tipi 4) në Rrugën “Muharrem Butka” (Njësia 5).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›