LETËRSI – Dyzet vite pa Elsa Moranten

ROMË, 25 nëntor /ATSH-ANSA/ – Elsa Morante, shkrimtarja, eseistja, përkthyesja dhe poetja, e cila vdiq më 25 nëntor 1985, konsiderohet si një nga shkrimtaret më të rëndësishme të shekullit XX.
E lindur në Romë dhe e rritur në lagjen ”Testaccio”, Elsa Morante ishte gruaja e parë që fitoi çmimin prestigjioz ”Strega” në vitin 1957 me romanin e saj ”L’isola di Arturo”.
Ajo është autore e romanit ”La Storia”, i konsideruar si një nga 100 librat më të mirë të të gjitha kohërave sipas renditjes së vitit 2002 të klubit norvegjez të librit.
Vëllimi i saj i fundit, i botuar në vitin 1982, ishte ”Aracoeli”, ku shkrimtarja dukej se po kërkonte një pikë kontakti midis romaneve të saj të hershme dhe ”La Storia”, duke rrëfyer historinë e një burri të palumtur, gjithmonë i ndryshëm për shkak të homoseksualitetit të tij, i cili ndërmerr një udhëtim të veçantë dhe misterioz në kohë dhe hapësirë në kërkim të nënës.
Në vitin 1984, ajo mori njohjen e saj të fundit ndërkombëtare kur iu dha çmimi ”Medicis”, për autorët e huaj, në Francë./ a.jor.