E Diel, 1 Nëntor 2026

LIBAN – Hezbollahu kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga jugu i vendit

BEJRUT, 6 tetor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, kërkoi sot tërheqjen e plotë dhe pa kushte të të gjitha trupave izraelite nga jugu i Libanit.

Në një fjalim të regjistruar, të transmetuar nga televizioni i Hezbollahut, “Al-Manar”, Qassem tha se çdo zgjidhje për konfliktin aktual në Liban duhet të kërkojë tërheqjen e plotë të Izraelit, pa qenë Hezbollahu i detyruar të japë diçka në këmbim.

“Ne nuk kemi asgjë për të dhënë”, deklaroi ai.

Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut tha se ishte i hapur ndaj reformave të brendshme në Liban, për shembull lidhur me kontrollin e armëve dhe politikën ekonomike, por kundërshtoi ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të vendeve të tjera në çështjet e brendshme libaneze.

Nga ana tjetër, Izraeli kërkon çarmatimin e Hezbollahut përpara tërheqjes së trupave, me argumentin se kjo është e nevojshme për të eliminuar në mënyrë të përhershme kërcënimet dhe mundësinë e sulmeve terroriste të ngjashme me atë të 7 tetorit 2023.

Ushtria izraelite ka krijuar në mënyrë të njëanshme një zonë sigurie në jug të Libanit, duke thënë se qëllimi është parandalimi i sulmeve të Hezbollahut ndaj veriut të Izraelit.

Si Hezbollahu, ashtu edhe qeveria libaneze e konsiderojnë këtë zonë territor të pushtuar dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas përllogaritjeve gjeografike të mediave libaneze, zona aktualisht nën kontrollin izraelit shtrihet në rreth 620 kilometra katror që përbën afërsisht 6,0 për qind të territorit të Libanit. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›