E Diel, 1 Nëntor 2026

LITUANI – Deri në 100 ushtarë në kufi, rriten masat e sigurisë pranë Kaliningradit

RIGA, 8 tetor /ATSH-DPA/- Lituania po forcon kufirin e saj me rajonin rus të Kaliningradit, si masë paraprake, njoftoi sot ministri i Brendshëm, Martynas Katelynas.

Katelynas tha se i ka kërkuar ministrit të Mbrojtjes, Robertas Kaunas të dërgojë ushtarë për të ndihmuar rojet kufitare.

Ai theksoi se situata në kufi është aktualisht, e qetë dhe se dërgimi i ushtarëve është një masë parandaluese.

Ministri i Mbrojtjes miratoi dërgimin e ushtrisë dhe tha se deri në 100 ushtarë do të dislokohen për të ruajtur kufirin.

Plani është që ushtarët të qëndrojnë në zonën kufitare pranë Kaliningradit për disa javë.

Numri i ushtarëve dhe kohëzgjatja e qëndrimit mund të ndryshojnë, në varësi të zhvillimit të situatës.

Lituania është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ajo kufizohet me rajonin rus të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë, e cila është aleate e Rusisë.

Që prej sulmit rus ndaj Ukrainës, autoritetet lituaneze kanë shprehur shqetësim të veçantë për sigurinë e vendit.

Si ministri i Brendshëm, edhe ministri i Mbrojtjes përmendën si një nga arsyet për dërgimin e ushtarëve, incidentin në kufirin e Letonisë me Bjellorusinë.

Sipas tyre, persona të maskuar dyshohet se tentuan të kalonin në mënyrë të paligjshme, një grup emigrantësh përtej kufirit.

Ministri i Mbrojtjes tha se arsye të tjera janë, situata e përgjithshme e sigurisë në rajon dhe disa shenja që mund të tregojnë për një mobilizim të mundshëm ushtarak të Rusisë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›