E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

LITUANI – Ministri i Energjisë: Sabotimi i kabllove lidhet me sinkronizimin e planifikuar të rrjetit elektrik të shteteve baltike me Evropën Perëndimore

RIGË, 14 janar /ATSH-DPA/- Sipas qeverisë lituaneze, sabotimi i kabllove nënujore në Detin Baltik mund të lidhet me sinkronizimin e planifikuar të rrjetit elektrik të shteteve baltike me Evropën Perëndimore.

Ministri i Energjisë, Tsygimantas Vaiciunas sugjeroi sot se qëllimi i atyre që dëmtojnë vazhdimisht linjat e energjisë gjatë muajve të fundit mund të jetë rrezikimi i shkëputjes nga rrjeti rus i energjisë i planifikuar në shkurt.

Vaiciunas theksoi se incidentet nuk do të ndikojnë në ndryshim.

“Ne jemi duke i zbatuar këto plane. Jemi gati dhe po përgatitemi edhe për kërcënimet e mundshme”, tha ai.

Vaiciunas tha se përpjekjet për të sabotuar infrastrukturën e rëndësishme në Detin Baltik ishin pjesë e një komploti më të madh, duke sugjeruar se autorët po punonin në emër të Rusisë.

“Ne jemi në mes të një lufte hibride dhe infrastruktura të tilla dëmtohen për një arsye specifike. Ajo ka një qëllim shumë të qartë”, shtoi ai.

Lituania, Estonia dhe Letonia, të gjitha vendet e BE-së dhe NATO-s që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik të udhëhequra nga Rusia, kanë ndërprerë importet e energjisë elektrike nga Rusia pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës.

Megjithatë, ata kanë mbetur pjesë e një rrjeti të përbashkët energjetik me Rusinë dhe Bjellorusinë, që tani konsiderohet një rrezik sigurie në Vilnius, Talin dhe Rigë.

Ministri suedez për Mbrojtjen Civile, Carl-Oskar Bohlin, raportoi gjatë fundjavës se një shenjë e prerjes së spirancës ishte zbuluar pranë kabllos NordBalt midis Lituanisë dhe Suedisë.

Lituania tani planifikon të mbrojë këtë linjë të rëndësishme energjetike me ndihmën e marinës së saj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›